Subscribe Us

custom_html_banner1

Shaqiri mezi e pret sezonin e ri: Dua t’i ndihmoj Liverpoolit ta mbrojë titullin

 

Xherdan Shaqiri mezi e pret fillimin e sezonit të ri në Premierligë dhe shprehet i gatshëm t’i ndihmojë Liverpoolit ta mbrojë titullin e fituar këtë sezon pas plot 30 vjetëve.

Anësori nga Gjilani ka përvojë në mbrojtjen e titujve të ligës dhe është i sigurt se Liverpooli e ka etjen e nevojshme për ta fituar titullin edhe në sezonin 2020/21, transmeton Kaqaniku.net

Skuadra e Jurgen Klopp e fitoi titullin në Premierligë sezonin e fundit, duke i dhënë fund pritjes 30-vjeçare për titull në ligë dhe tani i ka nisur përgatitjet për sezonin e ri.

Shaqiri kishte fituar tituj të ligës radhazi në Gjermani me Bayern Munich dhe në Zvicër me Baselin.

“Të gjithë jemi të ngazëllyer dhe duam ta përsërisim sezonin që e patëm edicionin e kaluar”, tha Shaqiri nga kampi stërvitor i Liverpoolit në Austri. “Është e vështirë por ne do të tentojmë të arrijmë shumë gjëra përsëri dhe të fitojmë shumë ndeshje”.

“Ne kemi aftësi për këtë, sepse e kemi një ekip i cili është akoma i etur dhe dëshiron të fitojë shumë tituj”, shtoi Shaqiri.

Shaqiri shpreson se sezoni i ri do të jetë më fatlum për të dhe se do ta lejojë ta japë kontributin e vet në fushë.

Përfaqësuesi i Zvicrës i bëri vetëm 11 paraqitje për Liverpoolin në të gjitha garat gjatë sezonit 2019/20, për shkak të lëndimeve.

“Nëse je i lënduar apo nëse nuk luan, gjithmonë zemërohesh. Por unë mezi pres që të nisë ky sezon dhe ta ndihmoj ekipin gjatë gjithë kohës, në mënyrë që të kem mundësi të luajë si në sezonin e parë”, theksoi 28-vjeçari.