Subscribe Us

custom_html_banner1

Kosova, pjesë e Serbisë në hartë – ende s’ka përgjigje nga Apple




Kosova ende s’ka marrë përgjigje nga kompania Apple, e cila vazhdon ta mbajë territorin e Kosovës nën Serbi. Nga MPJ i kanë thënë Expressit se po presin që Kosova të vendoset në hartën e supërfuqisë së tekonologjisë. Gjithashtu thonë se Apple u ka kërkuar falje vendeve, kur ka bërë ‘lëshime të tilla’.

Kompania amerikane e teknologjisë Apple nuk po e njeh Kosovën në hartat e saj. Për këtë arsye, Qeveria, i ka shkruar kësaj kompanie për t’i treguar se Kosovën e ka njohur Amerika, shumica e Bashkimit Evropian, fuqi të tjera botërore dhe se e drejta për pavarësi i është vulosur edhe nga Gjykata Ndëkombëtare e Drejtësisë.

Por, kërkesa që Kosova të jetë territor më vete në hartën e gjigantit botëror, Apple, është kthyer në një nga fushatat më të fuqishme të viteve të fundit. Në kët kauzë janë angazhuar yjet kosovare si Rita Ora e Dua Lipa, duke kërkuar vazhdimisht që vendi i tyre i origjinës, Kosova, të vendoset si shtet në hartat e Apple.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj – Stublla, i ka çuar letër drejtorit ekzekutiv, Tim Cook. Nga ministria thonë për Gazetën Express se akoma nuk kanë marrë asnjë përgjigje. 

“Ende nuk kemi përgjigje. Sot edhe Gent Cakaj ka dërguar një letër të njëjtë në përmbajtje dhe kërkesë”.

Në MPJ thonë se Apple u ka kërkuar falje vendeve të tjera, kur janë bërë lëshime të tilla.

“Pas hulumtimit që kemi bërë para dërgimit te letrës, kompania Apple ka kërkuar falje ne raste të lëshimeve të ngjashme ndaj shteteve sovrane. Presim të njëjtën”, thuhet në përgjigjen nga MPJ.

Apple përfshihet jo rallë herë në debate politike për shkak të kontesteve territoriale.

Në nëntor të vitit 2019, mediat ndërkombëtare raportuan se Apple i është bindur Rusisë, duke e vendosur territorin e aneksuar të Krimesë, si të sajen. Në fakt, në hartat e Apple dilte se Krimeja është pjesë e Rusisë vetëm në telefonat brenda territorit rus.

Ministri në detyrë i Shqipërisë për Punë të Jashtme dhe Evropë, Gent Cakaj, po ashtu ka njoftuar se i ka shkruar letër drejtorit të Apple.  Cakaj thotë se pret nga gjiganti i teknologjisë që të marrë vendimin e duhur.

“Republika e Kosovës është njohur prej shumicës së shteteve të botës demokratike dhe, ashtu siç ka vendosur vetë Gjykata Ndërkombëtare e

Drejtësisë, shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Ndaj, presim që Apple Inc. të marrë vendimin e drejtë duke vendosur kufijtë e Republikës së Kosovës në hartat e shërbimeve të saj”, ka shkruar Cakaj.

Ndërkaq, dy javët e fundit, janë organizuar peticione e janë mbledhur mijëra nënshkrime, me të cilat i kërkohet kompanisë Apple që ta vendosë Kosovën në hartat e aplikacioneve të saj.

Këto peticione i kanë përkrahur artistët e sportistët kosovarë me famë botërore.

Madje, këngëtarja Dua Lipa, pasi i ka kërkuar Apple publikisht që ta vendos Kosovën në hartë, vetë ka postuar në profilet e saj hartën e Shqipërisë, bashkëngjitur me Kosovën dhe me troje të sheteve të tjera ku jetojnë shqiptarët, me mbishkrimin “autochthonous”. Kjo ka nxitur reagime të mëdha në Serbi përgjatë një jave. /Kaqaniku.Net