Subscribe Us

custom_html_banner1

Hoti i çon përpara përgatitjet per dialogun, krijon ekip të ekspertëve, pritet të emërojë edhe koordinator

Qeveria e Kosovës ka themeluar Këshillin e Ekspertëve për dialogun me Serbinë.Zëvëndëskryeministri, Driton Selmanaj, tha se ky organ do të funksionojë në kuadër të Zyrës së kryeministrit dhe se detyrë e anëtarëve të këshillit do të jetë përpilimi i analizave specifike dhe këshillimi i kryeministrit dhe qeverisë për çështjen e dialogut me Serbinë.
“Këshilli do të përgatisë raporte dhe dokumente për pozicionin e Kosovës në dialog”, tha Selmanaj.
Vendimi u miratua në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mërkurën.
Pas themelimit të Këshillit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pritet të emërojë koordinatorin e Qeverisë së Kosovës për dialog.
Në hapje të mbledhjes së Qqeverisë së Kosovës, kryeministri Avdullah Hoti, tha se pavarësisht zhvillimeve të fundit, dialogu nuk ka alternativë dhe se Kosova është e gatshme për të rifilluar këtë proces. Ai tha se tema kryesore në dialog duhet të jetë njohja reciproke.
Dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë në fund të vitit 2018 për shkak të tarifës që kishte vendosur Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe.
Barrierat tregtare janë hequr dhe Bashkimi Evropian është shprehur se planifikon rifillimin e dialogut.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) synojnë të vazhdojë përpjekjet për rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, por në këto plane, nuk e përfshijnë më presidentin, Hashim Thaçi, i cili i ka udhëhequr negociatat me Serbinë në emër të Kosovës për vite me rradhë.
Zyrtarët e BE-së kanë njoftuar se pas aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, për krime lufte, ndaj Thaçit, ata nuk e konsiderojnë më presidentin e Kosovës, një partner në procesin e dialogut.