Subscribe Us

custom_html_banner1

Vjosa Osmani letër LDK’së: Dua t’i shoh votat që më shkarkuan nga nënkryetarja

Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit, dhe deri në fundjavën e kaluar edhe nënkryetare e LDK’së, i është drejtuar partisë së saj me anë të një letre, duke i kërkuar qasje në procesin e votimit që çoi në shkarkimin e saj.

Në letrën të cilën Gazeta Online Reporteri.net, ka arritur ta sigurojë nga burime brenda Kryesisë së LDK’së, Osmani kërkon t’i jepet dokumentacionini që dëshmon rezultatet e votimit dhe evidencën e secilës votë veç e veç.

Letra është dërguar më datë 25 qershor.
“Duke qenë subjet i procesit të votimit në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, përmes kësaj shkrese kërkoj të ma dërgoni gjithë dokumentacionin e lëndës së shkarkimit tim, përfshirë këtu rezultatet e votimit dhe evidencën e votimit të të gjithë anëtarëve të KP të LDKsë”.
Kjo letër e Osmanit vjen, pasi fundjavën e kaluar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një letre dërguar Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie propozoi shkarkimin e Vjosa Osmanit nga posti i nënkryetares së LDK dhe zgjedhjen në vend të saj të Advullah Hotit.

Në letrën dërguar të vetëve, kreu i LDK’së kishte kërkuar që anëtarët të votojnë brenda orës 19:00 për të shkarkuar Vjosa Osmanin e për të zgjedhur në vend të saj Hotin.
Rezultati i votimit i publikuar nga LDK tregoi se Osmani më nuk do të jetë numri dy i partisë, pasi pozitën e saj e merr kryeministri Hoti.