Subscribe Us

custom_html_banner1

Shpend Ahmeti godet deputetët: Pagat e juaja po ju ecin, e njerëzit s’kanë ku t’i marrin 170 euro për t’i paguar borxhet

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kritikuar deputetët dhe partitë politike për vonimin e diskutimit dhe vendimin për Pakon Ekonomike. Ahmeti thotë se derisa deputetët po i marrin pagat, qytetarët po i presin 170 euro për t’i paguar borxhet
Ahmeti ka shkruar në Facebook se si pasojë e pandemisë COVID-19, qytetarët janë dëmtuar ekonomikisht.
Ai thotë se shumë nga qytetarët janë të varur nga shuma prej 170 eurove, për t’i paguar borxhet, këstet e kredive e shpenzimet shëndetësore.
“E lus çdo politikan me ndërgjegje, qeverinë e kuvendin, e partitë politike që veç ta mendojnë se ka shumë njerëz që po mendojnë se kur kanë me i marrë 170 euro për me i pagu një pjesë të borxheve, ka shumë biznese që po presin se kur ka me pas një ndihmë për me mbijetu ekonomikisht familja, e shumë të tjerë që po mendojnë për shpenzimet shëndetësore, pagesën e rrymës, e datën e këstit të kredisë”, ka shkruar Ahmeti.
Ahmeti ka shkruar se politikanët po i humbin më shumë se tetë orë në ditë duke shikuar se si t’i kritikojnë partitë rivale.
Ai po ashtu thotë se nuk ka asnjë arsyetim për vonimin e diskutimit dhe vendimit për Pakon Ekonomike.
“Më falni, por nuk ka kurrfarë arsyetimi me u vonu diskutimi dhe vendimi për pako ekonomike. Ky Kuvend nuk ish deshtë me dal prej sallës deri ta arrin kompromisin për një pako substanciale ekonomike. Ditë e natë. Kur nuk merren vesh për 62 milion marrëveshje me Institucionet Financiare Ndërkombëtare, sinjali është që gjasat me kalu pako prej 1.2 miliard janë minimale”, ka shkruar i pari i Prishtinës.
Ndërkohë, Ahmeti thotë se pagat e politikanëve po ecin, megjithatë ua rikujton atyre se do të vije dita kur ata më nuk do t’i kenë pozitat që i kanë.
“Me rëndësi, pagat po ju ecin. Por si krejt politikanët, një ditë kena me ec prej shpije e s’ka me ju dëgju askush. Qysh jeni tu vepru, po shpresoj që qajo ditë vjen më shpejtë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook./kaqaniku.net/